Durrës, 02.09.2018

Mes shumë programeve të aftësimit dhe formimit profesional që ofrojnë qendrat social-kulturore në gjithë vendin, nën kujdesin e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, janë edhe kurset e gjuhëve të huaja, duke marrë shkas nga interesi në rritje i komunitetit për përvetësimin e tyre, si pasojë e nevojës për shkollim, apo për lehtësira në tregun e punës. Prindërit duken mjaft të interesuar që fëmijët e tyre të bëjnë pjesë të formimit intelektual edhe mësimin e gjuhëve të huaja, duke qenë se kjo do të ishte një mundësi shumë e mirë për ta në të ardhmen.

Qendra social-kulturore Shkafanë ka festuar përfundimin me sukses të nivelit të parë të frëngjishtes. Pas një pune intensive, për një periudhë tre-mujore, kursantët arritën të përvetësojnë njohuritë bazë të kësaj gjuhe në disa drejtime të ndryshme, si në komunikim, dëgjim, shkrim dhe gramatikë. Në këtë kurs morën pjesë dhjetëra djem e vajza të moshës shkollore. Ceremonia e ndarjes së certifikatave për kursantët ishte tregues i përkushtimit të stafit të kësaj qendre dhe e dëshirës së vet fëmijëve për të mësuar gjuhët e huaja.

Mësimdhënia interaktive, me programe bashkëkohore, bënë të mundur që fëmijët të fitojnë besimin dhe aftësitë e nevojshme për të komunikuar frëngjisht. Puna e palodhur e mësueses dhe e vetë nxënësve u kurorëzua me përfundimin me sukses të nivelit të parë, ku të gjithë kursantët u pajisën me certifikatë aftësie. Ata shprehën dëshirën që të vazhdojnë edhe nivelin e dytë të kësaj gjuhe, me qëllim perfeksionimin e aftësive të tyre, si në gramatikë, ashtu edhe në komunikim. Pas shpërndarjes së certifikatave, për ta bërë më festive këtë ceremoni, u shtrua edhe një koktej për të pranishmit, ku fëmijët patën mundësinë të gëzojnë mes njëri-tjetrit këtë arritje në jetën e tyre.