“Hyrje në Islam” i autorit dr. Muhamed Hamidullah, botim i AIITC, është një nga librat më të njohur mbi fenë islame në shek. XX, i përkthyer në mbi 12 gjuhë të botës. Kushdo që merr në dorë këtë libër, gjen të pasqyruar në të shtyllat kryesore të fesë islame, që bazohet në dy tipare kryesore:

1) Islami vendos drejtpeshimin mes shpirtërores dhe materiales, ndërmjet shpirtit dhe trupit.

2) Është fe universale, pra të gjithë myslimanët janë vëllezër, të barabartë, pa dallim klase, race apo gjuhe.

Autori flet në mënyrë të detajuar për çështje si koncepti i besimit në Zot, fillesat e ndërgjegjësimit fetar, shpallja hyjnore, jeta dhe misioni i Pejgamberit (a.s.), historia e Kuranit dhe hadithit, koncepti islam për jetën fetare dhe shpirtërore, librat e shpallur dhe profetët e Zotit, engjëjt dhe jeta e përtejme. Në të trajtohen edhe çështje politike, ekonomike e sociale, të tilla si: historiku i shtetit islam, forma e shtetit dhe e qeverisjes, sistemi bankar dhe kontratat tregtare, sigurimet shoqërore etj.

Disa nga misteret e ardhjes së fesë islame dhe kodet e fshehura në Kuran, sipas librit “Hyrje në Islam”:

  • Kuran do të thotë këndim, lexim ose recitim. Duke u diktuar tekstin besimtarëve, Muhamedi përcaktonte edhe radhitjen e vargjeve. Shpalljet i vinin pjesë-pjesë dhe kohë pas kohe, pasi çdo ajet që i zbriti, ishte përgjigje e një situate të veçantë apo ndonjë problemi aktual.
  • Profeti Muhamed (a.s.) këshilloi që Kurani të lexohet një herë në javë, pasi është i ndarë në shtatë pjesë të quajtura menzile. Përmban 114 kapituj që quhen sure. Vargjet në çdo sure quhen ajete kuranore.
  • Menzil do të thotë një stacion pas udhëtimit ditor.
  • Sure do të thotë një dhomë e rrethuar me mur.
  • Ajet do të thotë të shtrihesh për të fjetur.
  • Pra, stacioni, dhoma dhe shtrati janë tri elemente kryesore të udhëtimit shpirtëror ose trupor.
  • Melekët janë lajmëtarët që zbatojnë urdhrat e Zotit. Por meleku Xhebrail, që do të thotë Fuqia e Zotit, është ndërmjetësi i mesazheve të Zotit te profetët. Në Kuran cilësohet edhe si Ruhul Emin ose Shpirti besnik dhe ka gradën më të lartë se melekët e tjerë.
  • Në Kuran Zoti flet herë në vetën e parë, njëjës e shumës: “Unë” ose “Ne”, herë në vetën e tretë “Ai”.
  • Muhamedi (a.s.) ishte i njohur me pseudonimin El Emin- Besniku. Ai e quajti fenë e tij Islam, që do të thotë përulje ndaj Zotit.
  • Çdo moment i ardhjes së shpalljes për Muhamedin (a.s.) ishte mjaft i vështirë dhe ai e përjetonte me shumë tension (i mpihej i gjithë trupi dhe mbushej me djersë).
  • Kushtetuta e shtetit islam që hartoi Muhamedi (a.s.), u shkrua në vitin 622 të erës sonë, përmban 52 nene dhe është ruajtur plotësisht, deri në ditët tona.
  • Gjuha dhe stili i shkrimit të Kuranit janë unike dhe sfidojnë këdo, sot e kësaj dite, për të shkruar diçka të ngjashme me të, por deri tani askush nuk i është përgjigjur kësaj sfide.