Prizren, 16-17.03.2019
Grupi i përzgjedhur nga fëmijët e kursit të edukatës islame në xhaminë Gërmenj zhvilluan një vizitë mbresëlënëse dyditore në qytetin e Prizrenit, me ftesë të Konviktit të Vajzave atje, ku patën mundësinë të vizitonin dhe të shijonin bukurinë e qytetit të Prizrenit dhe të zonës malore të Prevallës. Në këtë ekskursion morën pjesë 15 vajza, bashkë me mësuesit e kursit dhe përgjegjësin e QSK Gërmenj, z. Dashnor Karaboja.
Ndalesa e parë u bë në qytetin e Kukësit, pranë një xhamie buzë rrugës, për të konsumuar vaktin e drekës dhe për të kryer faljen e namazit.
Sapo mbërritën në Prizren, nxënëset shëtitën buzë lumit që përshkon qendrën e këtij qyteti me vlera tradicionale. Gjithashtu vizituan shëtitoren e vjetër, xhaminë “Sinan Pasha”, Kalanë e Prizrenit dhe godinën e Lidhjes së Prizrenit.
Në mbrëmje ato u akomoduan në Konviktin e Vajzave, me ftesën e të cilave u mundësua kjo vizitë. Pas mikpritjes së ngrohtë, në darkën e organizuar posaçërisht për to, vajzat e Gërmenjit patën mundësinë të diskutonin dhe të shkëmbenin përvojat e tyre me bashkëmoshataret e tyre nga Prizreni.
Mëngjesi i datës 17 Mars ishte mjaft emocionues për vajzat, pasi i priste një ditë e ngarkuar me entuziazëm, argëtim e lodhje. Pas ngrënies së mëngjesit, iu drejtuan zonës malore turistike të Prevallës, mjaft e frekuentuar nga turistët e huaj. Aty u argëtuan përmes lojërave të ndryshme në dëborë, duke përjetuar një kënaqësi të papërshkrueshme. Zbritja nga zona malore e Prevallës u shoqërua me një ndalesë në një nga lokalet e bukura, ku panorama ishte e mrekullueshme.
Rreth orën 13:30 grupi i vizitoreve nga Gërmenji u prit në shtëpinë e një prej mësueseve mikpritëse të konviktit, e cila kishte përgatitur një drekë të bollshme për to. Ndalesa e fundit e këtij udhëtimi dyditor ishte një vizitë 1 orëshe pranë qendrës tregtare ETC, ku nxënëset patën mundësinë të blinin dhurata të ndryshme, si kujtim nga kjo eksperiencë kaq e bukur. Ky udhëtim do të mbetet gjatë në kujtesën e vajzave të kursit të edukatës islame në Qendrën social-kulturore Gërmenj.