Tiranë, 03.04.2019

Arabishtja është gjuhë amtare për mëse 200 milionë banorë në mbarë botën dhe një nga gjashtë gjuhët zyrtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Duke qenë gjuhë e Islamit, të gjithë besimtarët myslimanë e përdorin arabishten gjatë faljes së namazit dhe gjatë leximit të Kuranit. Për këtë arsye, ajo ka depërtuar në kombe dhe kultura të ndryshme, në gjithë skajet e globit. Përtej rëndësisë fetare, arabishtja ka fituar edhe statusin e një gjuhe biznesi ndërkombëtar, me rritjen ekonomike të vendeve arabe. Edhe në vendin tonë është rritur ndjeshëm interesi për njohjen e gjuhës dhe kulturës arabe në përgjithësi.

Një delegacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe po viziton këto ditë Shqipërinë, për të prezantuar një nismë mjaft interesante, që synon organizimin e Festivalit të kulturës, letërsisë dhe gjuhës arabe nëpër botë. Dr. Maryam Shenasa është shkrimtare dhe themeluese e shtëpisë botuese “Yasemin”, me seli në Dubai. Edhe pse në profesion është doktore në mikrobiologji, e diplomuar në Universitetin Glasgow të Skocisë, ajo ka një pasion të madh për promovimin e gjuhës dhe kulturës së vendit të saj. Kur ndërmori këtë nismë, kishte si qëllim që, bashkë me një grup shkrimtarësh e artistësh emiratas, të organizonte në vendet joarabe këtë festival.

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam e përqafoi këtë ide, duke i dhënë mundësinë që delegacioni emiratas ta prezantonte atë për publikun shqiptar, duke i ftuar në takimin e radhës së Akademisë AIITC “Popuj dhe kultura” me temë: “Gjuha arabe nëpër botë, mundësi komunikimi midis popujve”. Në fjalën e hapjes drejtori i AIITC, Dr. Ardian Muhaj, vlerësoi prurjet e këtij festivali, si një mundësi shumë e mirë për rritjen e komunikimit ndërkulturor nëpër botë. Duke theksuar rëndësinë e kulturës arabe për historinë e popullit shqiptar, ai shprehu konsideratën për këtë misioni të rëndësishëm në rang global.

Ndërsa Dr. Maryam Shenasa solli eksperiencën e saj të gjatë me këtë festival, duke kujtuar vitet e para të organizimit të tij, ku interesi nuk ishte edhe aq i madh. Festivali i parë i gjuhës arabe u zhvillua në Indi dhe 5 vjet pas tij, ky festival arriti të mbledhë mbi 2 mijë profesorë universitetesh të gjuhës arabe dhe qindra artistë. Festivale të tilla ajo kishte realizuar edhe në Kinë, Kore, Taxhikistan dhe vende të tjera të Lindjes.

Duke pranuar vështirësinë e përkthimit të letërsisë arabe, ajo tha se në Emiratet e Bashkuara Arabe zhvillohen çdo vit çmime përkthimi dhe konkurse të letërsisë arabe. Nga ana tjetër, ajo vlerësoi se një tregues për gjerësinë e kuptimeve të kësaj gjuhe është edhe fakti se për përkthimin e një sureje të shkurtër nga Kurani në një gjuhë tjetër, duhet një botim i tërë. Zakonisht, ky festival organizohet në bashkëpunim me universitetet që kanë katedër të gjuhës dhe letërsisë arabe. Çdo festival varet nga karakteristikat e vendit përkatës ku ai zhvillohet dhe përfshin konkurs poezish, panair librash, kumtesa letrare, ekspozita, prezantime përkthimesh etj.

Pas prezantimit të saj, takimi vazhdoi në formë bashkëbisedimi me të pranishmit. Interesit të tyre për organizimin e këtij festivali edhe në Shqipëri, Dr. Maryam iu përgjigj se ky do të jetë një ndër prioritetet e punës së saj në të ardhmen, duke premtuar se së shpejti vendi ynë do të jetë pjesë e agjendës së organizatorëve. Përveç kësaj veprimtarie të rëndësishme kulturore, shtëpia botuese “Yasemin” kontribuon gjithashtu edhe për ndërtimin e bibliotekave letrare të gjuhës arabe në universitetet e vendeve ku zhvillohet festivali. Në fund të takimit, Dr. Maryam iu dorëzua edhe një certifikatë mirënjohjeje për kontributin e dhënë në realizimin e Akademisë AIITC “Popuj dhe Kultura”. Të pranishmit patën mundësinë të merrnin edhe një prej librave të saj, me autografin e vetë autores.