Dubai, 11.04.2019

Pas ndarjes së Çmimit të Gjuhës Arabe “Mohammed bin Rashid”, Konferenca e tetë e Gjuhës Arabe në Dubai vazhdoi punimet me prezantimin e studimeve kërkimore në këtë fushë. Më shumë se dhjetë mijë studime janë paraqitur përgjatë tetë viteve në këtë Konferencë, ku deri tani kanë marrë pjesë më shumë se shtatëdhjetë vende të botës, të përfaqësuara nga rreth nëntë mijë studiues të interesuar për gjuhën arabe. Konferenca e tetë e Gjuhës Arabe u ndoq nga më shumë se 770 studiues, 81 dekanë fakultetesh dhe 94 kryetarë katedrash të gjuhës arabe në universitetet pjesëmarrëse. Edhe këtë vit numri i hulumtimeve pjesëmarrëse arriti në 679 dhe, pas shqyrtimit, vetëm 60% e tyre u aprovuan dhe u prezantuan në ditët e konferencës.

Një prej tyre ishte edhe hulumtimi me temë “Shkollat private dhe roli i tyre në ruajtjen e gjuhës arabe tek shqiptarët”, i prezantuar nga Përgjegjësi i marrëdhënieve me jashtë pranë Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, z. Ubejd Osmani. Punimi shqyrtonte rolin e medreseve jopublike që kanë shërbyer për ruajtjen e gjuhës arabe dhe mësimeve fetare në trojet shqiptare, para dhe gjatë komunizmit, me fokus të veçantë në Kosovë. Gjithashtu përmendej edhe kontributi i disa prej figurave më eminente të kësaj fushe. Studimi vuri theksin në rolin e xhamive dhe shtëpive të imamëve, të cilat kanë shërbyer si shkolla të mësimit të fesë dhe gjuhës arabe, në mungesë të objekteve përkatëse.

Gjatë tetë viteve të konferencës janë botuar dhe shpërndarë mijëra libra ku u përfshinë këto hulumtime, nga të cilat kanë përfituar nxënësit e dijes së fakulteteve dhe universiteteve në rang botëror. Në këtë organizim mbarëbotëror kanë qenë të pranishme njëzet e gjashtë organizata dhe institucione arabe e ndërkombëtare, që janë pjesë e Këshillit Ndërkombëtar për Gjuhën Arabe.

Konferenca e Gjuhës Arabe organizohet çdo vit, nën kujdesin e veçantë të Sheik Mohammed bin Rashid Al Maktum, nënkryetar i Emirateve të Bashkuara Arabe, Kryeministër dhe Udhëheqës i Dubait. Në Konferencën e këtij viti, veç të tjerash, u hodhën bazat për nisjen e një Programi Kombëtar për zbulimin dhe edukimin e talenteve të reja. Në përfundim të punimeve të Konferencës u zhvilluan edhe 150 seminare, një sërë kursesh dhe workshope mbi gjuhën arabe.