Autorë: Ekrem Iljas, Darin Barashid

Botues: AIITC

Nr. Faqeve: 73

ISBN: 978-9928-126-21-4

Me ardhjen e muajit të bekuar të Ramazanit, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam sjell për lexuesin shqiptar librin “Sekreti i jetës”, të autorëve Ekrem Iljas dhe Darin Barashid nga Arabia Saudite. I hartuar në formën e një doracaku, libri trajton jetën dhe problemet e sotme të saj në një këndvështrim unik. Ai është një manual praktik për të gjithë ata që kanë humbur vetveten dhe kërkojnë të gjejnë qetësinë e munguar fizike e shpirtërore.

Realiteti i njeriut sot, prapambetja, rrënimi shoqëror, shpirtëror e fetar i dedikohet mosnjohjes së vetes. Në një kohë kur presionet e jetës materiale janë shndërruar në një pengesë të madhe për njerëzit të cilët enden pas tundimeve të jetës së qytetërimit fals, ky libër është mëse i domosdoshëm për t′u lexuar. “Sekreti i jetës” është çelësi i lumturisë, mirësisë, kënaqësisë dhe i gëzimit për mbarë njerëzit.

Pasi rreshtojnë një sërë shkaqesh që e kanë çuar njeriun në këtë kaos dhe përhumbje fizike e shpirtërore, autorët theksojnë se të gjitha këto vështirësi vijnë nga mbushja e jetës me gjynahe dhe neglizhenca ndaj lidhjes shpirtërore me Zotin. Kjo lidhje ka të bëjë direkt me lumturinë, sa më e fortë të jetë ajo, aq më shumë hapen dyert e qiellit dhe rrugët e mirësisë, suksesit dhe të riskut. Libri na kujton se shpëtimi i njeriut, lumturia e tij në këtë botë dhe në tjetrën është e lidhur me përulësinë e tij në namaz, që autorët e konsiderojnë si një udhëtim të mrekullueshëm.

Pra, i gjithë sekreti është përkushtimi ndaj faljes së namazit. Namazi i atyre që nuk janë të vëmendshëm ndaj tij, nuk do të ketë asnjë lloj ndikimi në jetën e tyre. Falja e namazit në libër është konceptuar si një udhëtim me 12 stacione, ku njeriu duhet të përkushtohet me trup e shpirt dhe të mos jetë i shkujdesur. Më pas njihemi me gjashtë çelësat e një namazi të saktë e të qëndrueshëm: Prania e zemrës, njohja e kuptimeve, madhërimi i Allahut, solemniteti para Allahut, shpresa dhe turpërimi.

Në faqet e fundit përmenden disa prej sfidave në aplikimin e sekretit të jetës, ku gjynahet dhe mosbindjet konsiderohen nga sfidat më të mëdha dhe si pengesë që zemra të arrijë te Krijuesi. Libri mbyllet me këshillën se bindja dhe adhurimet e afrojnë njeriun me Zotin e tij. Zemrat mund të arrijnë tek Allahu vetëm nëse janë të shëndosha dhe të pastra dhe ato mund të jenë të tilla, vetëm duke kundërshtuar epshin e tyre. Njeriu e harron vetveten, kur neglizhon shkaqet që e bëjnë atë të lumtur, të çiltër dhe të devotshëm.