Qindra imamë, dijetarë dhe juristë nga vende të ndryshme islame janë mbledhur në Mekë për të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë: “Vlerat e qëndrimit të moderuar dhe mesatar në tekstet e Kuranit dhe të Sunetit”. Konferenca e organizuar nga Lidhja e Botës Islame (LBI), zhvillohet nën mbikëqyrjen e Mbretit Selman bin Abdilaziz dhe do të zgjasë për katër ditë, nga data 27 deri më 30 maj.

Në seancën e hapjes morën pjesë udhëheqës fetarë, drejtues organizatash ndërkombëtare dhe shtetarë nga vende të ndryshme të botës islame. Sekretari i Përgjithshëm i Ligës së Botës Islame, Sheikh Dr. Muhammed bin Abdulkerim Al-Isa, u shpreh se kjo konferencë është me rëndësi të madhe, duke pasur parasysh rrethanat në të cilat po zhvillohet. Ai shtoi se konferenca ndiqet nga një grup i madh dijetarësh, myftinjsh, zyrtarësh të lartë dhe mendimtarësh të botës islame. Ata do të diskutojnë rreth temës së moderimit dhe mesatares, kuptimet dhe domethëniet e tyre, shenjat e moderimit dhe parimet e tij në Islam, efektet dhe rrethanat e injorancës mbi konceptet e moderimit.

Të pranishëm në këtë takim, me ftesë të veçantë nga LBI, janë edhe përfaqësues të Institutit Shqiptarë të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, përkatësisht Kryetari i Bordit Drejtues, Dr. Faruk Borova, dhe themeluesi i AIITC, njëkohësisht anëtar i Bordit Drejtues, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj. Kjo konferencë ndërkombëtare ndahet në pesë sesione shkencore, të gjitha të përqendruara rreth konceptit të “rrugës së mesme” në Islam dhe një sesion përfundimtar në të cilin do të lëshohet komunikata përfundimtare e konferencës dhe shpallja e “Kartës së Mekës”, të cilën organizatorët e konferencës e përshkruajnë si një vendim “historik”.