Tiranë, 21.06.2019

Për tre ditë me radhë, dyert e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam qëndruan të hapura për zhvillimin e Seminarit trajnues “Kaligrafia arabe”, ku morën pjesë dhjetëra të interesuar. I ftuar për trajnimin e pjesëmarrësve, ishte kaligrafi i shquar arab, z. Seid Abdullah Lafi, një prej aktivistëve që kontribuon për njohjen e kulturës arabe nëpër botë. Përmes aktivitete të tilla, AIITC synon rritjen e shkëmbimeve ndërkulturore mes vendeve të ndryshme të botës, duke qenë se kultura është ajo që i bashkon kombet.

Seminari u përqendrua në një historik të shkurtër të kaligrafisë arabe, rolit dhe rëndësisë së saj, sidomos në vendet islame e më gjerë, teknikat e bukurshkrimit dhe 8 llojet e kaligrafisë arabe. Duke qenë simbol i zbukurimit të mijëra xhamive në mbarë botën, përfshirë edhe Shqipërinë, ky trajnim ishte me mjaft interes veçanërisht për piktorët dhe arkitektët e rinj.  

Kaligrafi arab e ilustroi punën e tij me foto dhe me ushtrime mjaft interesante, ku secili nga pjesëmarrësit pati mundësinë të përdorte vetë teknikat e ndryshme të shkrimit arab, me penat tradicionale të gdhendura me dorë.

Në fund të seminarit treditor, të gjithë u pajisën me certifikata pjesëmarrjeje.