Tiranë, 24.09.2019

89-vjetori i Ditës Kombëtare të Arabisë Saudite u festua edhe në Tiranë. Ambasada e Arabisë Saudite në vendin tonë organizoi një pritje festive në Hotel Mak Albania, ku morën pjesë personalitete të larta të politikës, ambasadorë, përfaqësues të jetës ekonomike dhe medias.

Në fjalën e rastit, ambasadori Abdulmomen M. Sharaf, duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, nënvizoi angazhimin e Arabisë Saudite për ndjekjen e një agjende ambicioze, që synon zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Ndër të tjera, ambasadori M. Sharaf theksoi: “Nga ana jonë, ne aspirojmë dhe nënvizojmë interesin për të konsoliduar e për të çuar më tej në të ardhmen, stadin e marrëdhënieve të shkëlqyera bilaterale me Republikën mike të Shqipërisë, në të gjitha fushat”.

Ai u ndal te vizita e fundit që Kryeministri shqiptar, z. Edi Rama, realizoi në Arabinë Saudite, ku, ndër të tjera, vizitoi edhe Këshillin e Dhomave të Tregtisë në Riad, me të cilin u ra dakord, që ky i fundit të koordinonte vizitën e një grupi përfaqësuesish të shquar të biznesit saudit në Republikën e Shqipërisë. Kjo nismë u konkretizua gjatë muajit prill të këtij viti, ku një delegacion biznesmenësh sauditë, i përbërë prej 25 vetash, vizituan vendin tonë dhe mbajtën disa takime me specialistë të qeverisë në fusha të ndryshme të investimeve dhe të turizmit në Shqipëri.

Mbretëria e Arabisë Saudite përkujton çdo vit, më 23 shtator, ditën kur u shpall themelimi i shtetit, në vitin 1932, në territoret që njihen edhe sot.