Ulqin, 25.09.2019

Pas prezantimit të revistës shkencore-kulturore “Univers” në qytete të ndryshme të hapësirës shqiptare, si: Tirana, Prishtina, Shkupi etj., ndalesa e radhës së redaksisë së kësaj reviste periodike ishte qyteti i bukur i Ulqinit, në Mal të Zi. Instituti i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, në bashkëpunim me Shoqatën e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, organizuan takimin ku morën pjesë Kryeredaktori i revistës, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, Kryetari i Shoqatës “Art Club”, z. Ismet Kallaba, anëtarët e redaksisë së revistës: Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu, Prof. Dr. Arian Kadiu dhe koordinatorja, znj. Anisa Hykaj. Gjithashtu ishin të pranishëm bashkëpunëtorë, studiues e intelektualë të tjerë shqiptarë të Malit të Zi.

Takimin e çeli Kryetari i shoqatës “Art Club”, z. Ismet Kallaba, i cili vlerësoi kontributin e revistës “Univers” për promovimin e personaliteteve në të gjitha hapësirat shqiptare. Duke falënderuar AIITC për këtë prezantim, ai theksoi se takime të tilla shkencore e kulturore janë mjaft të nevojshme për qytetin e Ulqinit. Më pas, e mori fjalën Kryeredaktori, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, i cili solli një panoramë të shkurtër të rrugëtimit dhe sfidave të revistës, që prej themelimit të saj, në vitin 2000. Duke i njohur të pranishmit me strukturën e këtij periodiku dhe rubrikat që përmban, ai përmendi disa nga figurat dhe personalitetet e shquara që kanë qenë pjesë e shkrimeve me karakter historik, studimor, kulturor, artistik etj. Sipas tij, revista ka si qëllim krijimin e një botëkuptimi universal, që transmeton dije dhe vlera të larta, duke qenë një tribunë e mendimit shkencor të lirë mbarëshqiptar.

Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu u përqendrua në rëndësinë e revistës, e cila shërben si një urë lidhëse e fortë komunikimi kulturor e shkencor mes shqiptarëve. Ndërsa Prof. Dr. Arian Kadiu vlerësoi rolin e saj në edukimin e brezave dhe pasurimin e kulturës sonë kombëtare. Koordinatorja Anisa Hykaj, përshëndeti të pranishmit, në emër të drejtorit të AIITC, Dr. Ardian Muhaj, duke theksuar se, nën udhëheqjen e tij, po punohet intensivisht për hartimin sa më parë të Bibliografisë së 20 numrave të revistës “Univers”, e cila, përveçse fizike, do të jetë edhe e digjitalizuar, për t′i dhënë mundësinë çdokujt t′i shfletojë ato on-line. Gjithashtu, ajo foli për rëndësinë e kësaj reviste për studiuesit, duke qenë e regjistruar në Qendrën Ndërkombëtare të Revistave (ISSN), pasi gama e artikujve që përfshin ajo, është shumë e gjerë dhe kushdo mund ta gjejë veten në të. Në fund të këtij takimi, Bibliotekës së qytetit të Ulqinit iu dhuruan pesë kopje të revistës “Univers”, ndërsa për të pranishmit u dhuruan botimet më të fundit të AIITC.