Tiranë, 18-19.11. 2019 

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, në koordinim me Departamentin Amerikan të Shtetit, organizuan Konferencën dy-ditore me temë “Feja si një instrument për paqen”. Duke marrë shkas nga shkelja e të drejtave të njeriut dhe e lirisë së besimit nëpër botë, kjo konferencë mblodhi së bashku udhëheqësit kryesorë fetarë, përfaqësues të shtetit, ekspertë të lirisë fetare dhe aktivistë nga i gjithë Ballkani Perëndimor, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Në këtë konferencë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam.

Pas përshëndetjeve të rastit nga përfaqësuesit e shteteve si Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, mbajtën kumtesat e tyre udhëheqësit fetarë. Fillimisht u diskutua mbi nxitjen e respektit ndaj larmisë fetare, promovimin e lirisë së besimit dhe mbështetjen e të drejtave të njeriut për pakicat fetare. Duke vlerësuar shembullin e mirë të Shqipërisë, ata vunë theksin në lirinë e besimit, si një mjet thelbësor për arritjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Ekspertë të fushës nga Ballkani Perëndimor, BE dhe SHBA diskutuan edhe mbi mënyrën e trajtimit të barabartë përpara ligjit, pavarësisht fesë, besimit ose përkatësisë fetare të një individi. Ata theksuan se zyrtarët e zbatimit të ligjit duhet të marrin masa për të mbrojtur të gjithë personat, përfshirë anëtarët ose pakicat fetare nga dëmtimi ose nga aktet diskriminuese, për shkak të fesë së tyre.