Teatri Kombëtar ishte djepi i festimeve në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet, ku u mblodhën dhjetëra intelektualë e banorë të vjetër tiranas. I konceptuar si një retrospektivë e zhvillimeve të Tiranës në plot 100 vite, ky aktivitet solli fakte e dokumente historike mbi kushtet që çuan në përzgjedhjen e saj si kryeqendër e Shqipërisë.

Mes shumë personaliteteve që morën pjesë në këtë manifestim përkujtimor, ishte i ftuar edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta. Në fjalën e rastit, ai kujtoi kontributin e shumë figurave të shquara të kryeqytetit, përgjatë këtyre 100 viteve, duke dekoruar me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, disa prej atyre që lanë gjurmë në historinë e këtij qyteti.

Mes tyre, kryetarin e parë të Bashkisë, Ismail ef.Ndroqi, një nga personalitetet më të spikatura, me formim të kompletuar, si pedagog, politikan, gjuhëtar, myfti dhe atdhetar, që ia dedikoi jetën e tij çështjes kombëtare.

Po kështu dhe rilindasit të shquar Said Sermedin Toptani, humanistes Hatixhe Skënderi, këngëtares simbol të këngës tiranase Hafsa Zyberi, atdhetarit dhe mësuesit të shquar Ethem Tabaku, si dhe studiuesit e historianit, Gazmend Bakiu.

Në aktivitetin e organizuar nga shoqata “Tirona Intellectum”, shoqata “Bashkësia Dibrane” dhe “Aleanca për mbrojtjen e teatrit”, merrnin pjesë edhe përfaqësues të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, i cili jep një kontribut të vyer në përkujtimin dhe vlerësimin e jetës dhe veprës së shumë prej figurave të shquara të Tiranës.

Për herë të parë emri i Tiranës përmendet në vitin 1418, në një dokument të Venedikut. Sundimtarë të tokave ku shtrihet sot Tirana në shekullin e XIV kanë qenë familja e Topiajve. Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë në 9 shkurt 1920 nga Kongresi i Lushnjës dhe pjesëtarët e Këshillit Kombëtar hynë në qytet në 11 shkurt 1920. Përfundimisht, Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1925 nga Asambleja Kushtetuese.