Në vijim të projekteve për realizimin e një serie botimesh në gjuhën shqipe, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve të Avancuara (CNS), po drejtohet drejt finalizimit të projektit për botimin në gjuhën shqipe të librit studimor “Një Hyrje e Shkurtër në Tefsirin Kuranor”, i Ali Suleiman Ali-t. Qëllimi kryesor i autorit ishte t’u ofronte lexuesve informacion themelor mbi evolucionin e tefsirit të disa prej komentuesve kryesorë të Kuranit dhe veprave të tyre.
Sipas autorit, Kurani u drejtohet njerëzimit, para së gjithash, si udhëzim në të gjitha aspektet e jetës: shpirtërore, politike, ekonomike, shoqërore etj. Prandaj, interpretimi i saktë i Librit të Shenjtë mbetet i rëndësishëm. Ky studim synon t’i njohë lexuesit, veçanërisht studentët e shkencave të tefsirit, me zhvillimin historik të interpretimit kuranor, që nga koha e Profetit Muhamed (a.s.), deri në ditët tona.
Punimi thekson natyrën, karakteristikat dhe metodologjinë e tefsirit të Profetit (a.s.), por trajton edhe tefsirin e Sahabëve të Profetit (a.s.), apo të brezit që ndoqi Sahabët. Libri hedh dritë gjithashtu mbi disa tendenca të reja në botën bashkëkohore, duke theksuar disa dallime mes veprave klasike dhe moderne të tefsirit.